MASHT

Urimi i ministrit Buja me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit

7 Mars, 2011

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, uroj të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit në Republikën e Kosovës për këtë ditë të shenjtë që simbolizon fillimin e mësimit të shkronjave shqipe dhe hapjen e epokës së dijes për të ardhmen e ndritur dhe të sigurt.

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, 7 Marsi është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, sepse me këtë datë fillon lëvizja e fuqishme e popullit tonë. Shkolla shqipe, përveq që ka qenë vatër e diturisë, ka qenë edhe baza e nismave të mëdha historike në rrugën e shndërrimit të Kosovës në shtet.

Mësimdhënësit kanë qenë ata që e kanë dhënë kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë e Kosovës, të cilën sot po e gëzojmë, prandaj e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja nuk mund të paramendohet pa mësuesit.

Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë. Qeveria e Kosovës dhe MASHT-i do të angazhohen në vazhdimësi për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të dinjitetit dhe të interesit të tyre.

Misioni i mësuesit është i shenjtë dhe nga mësuesi varet shteti i së ardhmes!

Urime 7 Marsin – Ditën e mësuesit!

Ramë Buja, 
Ministër i Arsimit, Shkencës 
dhe Teknologjisë.

Last modified: 26 Gusht, 2022