MASHT

Udhëheqja e re e MASHT-it zhvilloi takimin e parë me drejtorët komunal të arsimit në Kosovë

3 Mars, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë zhvilloi një takim me drejtorët komunal të arsimit, me ç’rast prezantoi një pjesë të kabinetit të tij, falënderoi për punën e deritashme të ish- ministrit Hoxhaj njëherësh shprehu besimin se, MASHT do të vazhdojë edhe më tutje me suksese e trende pozitive.

Me këtë rast, ministri Buja është shprehur se ,”Arsimi është njëshi dhe kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen, sepse të ditur mund të arrijmë shumëçka dhe këtë nivel e mbërrijmë me angazhimet tona të përbashkëta. Nuk do të ketë asnjë ndryshim, por do të ketë ndonjë përmirësim aty ku nuk është bërë krejt mirë”, tha ai, ndërsa theksoi se “për mua si ministër i Arsimit, çdo copë e Kosovës është në fokusin e të ardhmes. Jam mirënjohës për të gjitha angazhimet e suksesshme të ministrit Hoxhaj dhe besoj që së bashku me ju do të arrijmë të përmbushim detyrimet që kemi marrë edhe në të ardhmen “.

Takimi me DKA-të vazhdoi me përgatitjet që MASHT-i po bën lidhur me shënimin e ditës së mësuesit “7 Marsit”, ditë kjo që do të shënohet me një ceremoni festive ku do të ndahen mirënjohje për mësimdhënësit dalluar. Me këtë rast, u fol edhe për mundësinë e një organizim më ndryshe të kësaj feste në të ardhmen, por, se tash për tash kjo mbetet ashtu si është caktuar me ligjin për ditë festash , ditë pune dhe feste njëkohësisht .

Në vazhdim, drejtorët komunal të arsimit shfaqën shqetësimet e tyre lidhur me nevojën e domosdoshme për verifikimin e diplomave të mësimdhënësve për çka ata kërkuan një vendim zyrtar nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që procesi të ketë kredibilitetin e duhur. Në këtë kontekst, u tha se në të ardhmen nuk do të ketë kontrata pune për mësimdhënësit, të cilët nuk do ta ofrojnë diplomën dhe në mungesë të saj do të shpallet konkurs për kuadro të kualifikuar.
Iniciativën për këtë e ka nisur komuna e Prizrenit, në të cilën sipas drejtorit Nexhat Çoçaj janë rreth 840 mësimdhënës në këtë komunë që punojnë me certifikata disa prej të cilëve datojnë që nga vitet 70-ta, ndërkohë që sipas Udhëzimit administrativ , certifikata vlen vetëm 6 muaj.
Ideja për verifikimin e diplomave u përkrah edhe nga udhëheqja e MASHT-it, por edhe nga të gjithë përfaqësuesit e arsimit në komuna .
Udhëheqja e lartë e MASHT-it paralajmëroi DKA-të, se së shpejti do të mbahet një takim në të cilin do të njoftohen me risitë që do të ndodhin sivjet në procesin “Matura shtetërore 2011”.

Last modified: 26 Gusht, 2022