Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka takuar sot partnerët zhvillimor që mbështesin sektorin e arsimit në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Buja ka falënderuar partnerët zhvillimor për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë arsimit në Kosovë. “Ju keni bërë shumë për realizimin e synimeve tona, për fuqizimin e arsimit në Kosovë për vite me radhë dhe fakti që jam bashkë me ju, më bën të ndjehem shumë i fuqishëm”, tha ministri Buja duke theksuar rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi me partnerët në suksesin e MASHT-it.
Ministri Buja, ndër të tjera përmendi disa të arritura që janë bërë dhe po bëhen me mbështetjen e partnerëve si Plani Strategjik i Arsimit 2011-2016, Korniza e Kurrikulumit të Kosovë dhe shumë të arritura të tjera. “Ju jeni bashkërealizuesit e proceseve që janë mrekulli e arsimit kosovar”, tha ai, ndërsa theksoi se është i interesuar që të vazhdojë projektet e lëna nga ministri Hoxhaj dhe t’i avancojë ato.
Ministri Buja uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe theksoi se dera e tij do të jetë e hapur për të gjithë partnerët zhvillimor që janë të interesuar të ndihmojnë në fuqizimin e arsimit në Republikën e Kosovës.
Përfaqësues të organizatave qeveritare të shteteve të ndryshme, të cilët janë të kyçur si partnerë në shumë procese të arsimit, po ashtu i kanë uruar detyrën ministrit të arsimit dhe kanë theksuar interesimin e shteteve të tyre për të vazhduar punën e përbashkët.
Ndërsa, gjatë paradites së sotme, ministri Buja ka pasur një takim me ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Ingrid Johanson dhe shefin e SIDA-s, Anders Berlin, me të cilët ka biseduar rreth vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Ambasadorja Johanson ka folur për bashkëpunimin e deritanishëm me MASHT-in, sidomos në hartimin e Planit Strategjik për Arsimin 2011-2016, ku SIDA suedeze ka qenë mbështetësi kryesor. Ajo shprehu interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit me MASHT-in dhe ministrin Buja.
Ndërsa, shefi i SIDSA-s, Anders Berlin, e njoftoi ministrin Buja me punën që ka bërë shteti suedez në fushën e arsimit në Kosovë dhe interesimin që ka për mbështetjen e këtij sektori në të ardhmen si dhe rolin e SIDA-s në këtë drejtim. Ai tha se përveç mbështetjes në hartimin e Planit Strategjik, SIDA është e interesuar ta mbështesë edhe implementimin e këtij plani.
Ministri Buja falënderoi shtetin suedez për mbështetjen që i ka dhënë arsimit kosovar dhe për gatishmërisë që të vazhdojnë punën e përbashkët.
Last modified: 26 Gusht, 2022