Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë , Ramë Buja pati takime ndaras me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të SBASHK-ut dhe përfaqësueset e Ambasadës Angleze e të British Council në Kosovë
Takimet kryesisht ishin të karakterit njoftues dhe urues për detyrën e re ministrit të sapo emëruar z. Ramë Buja, por u bisedua edhe për zhvillimet aktuale si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm reciprok.
Me këtë rast, ministri Buja duke e falënderuar për vizitën nga ana e z Ranjit Nayak, shef i Bankës Botërore (BB) në Kosovë, tha se “Banka Botërore edhe në të ardhmen mbetet ndër donatorët më të fuqishëm të proceseve arsimore në Kosovë”. Ai shtoi se MASHT do të angazhohet me përkushtim që të përmbushë detyrimet që ka si partner implementues.
Më tej, ministri Buja theksoi se “ne si institucion do të vazhdojmë me proceset e filluara nga ministri i mëparshëm, në funksion të zbatimit të reformave dhe krahas kësaj, zbatimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies e të mësimnxënies, krijimin e kushteve për rritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim” .
Nga ana e tij z. Nayak, duke i uruar detyrën me përgjegjësi si ministër i arsimit, i premtoi ministrit Buja mbështetjen e mëtutjeshme të kësaj banke në proceset zhvillimore arsimore në Kosovë.
Një takimin që pati me kryetarin e SBASHK-ut, z. Ali Shabanaj, ministri Buja bisedoi për çështje të arsimit, pozitën materiale të arsimtarëve si dhe për çështje tjera me interes për arsimin në Kosovë .
Ministri Buja premtoi angazhim maksimal në përmirësimin e gjendjes materiale të arsimtarëve brenda mundësive buxhetore që do të ketë Kosova. Ai theksoi se do të kërkojë më shumë punë dhe përkushtim të të gjithëve në ngritjen e cilësisë në arsim.
Ndërsa, Ali Shabanaj tha se beson që edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi reciprok ndërinstitucional. “Është në interesin e të gjithëve që të kemi rezultate të lakmueshme në arsim andaj na takon që edhe në të ardhmen të bëjmë më shumë në këtë drejtim”, tha ndër tjera z . Shabanaj i cili gjithashtu i uroi ministrit Buja detyrën e re.
Gjatë ditës së sotme, ministri Buja zhvilloi një takim edhe me Anna Jakcon përfaqësuese e Ambasadës Britanike dhe Teuta Beselica nga British Council. Të dy zyrtaret e larta e njoftuan ministrin Buja për bashkëpunimin e deritashëm me MASHT-in, njëherësh konfirmuan vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Ndërkaq, ministri Buja ka falënderuar znj. Jackson dhe Beselica për ndihmën e deritashme nga ana e Ambasadës së Britanisë dhe British Council, dhënë institucionit më të lartë arsimor të vendit dhe shtoi se MASHT-i mbetet i përkushtuar të realizojë projektet e filluara arsimore si dhe të thellojë bashkëpunimin e mëtutjeshëm me miq të çmuar të vendit tonë .
Last modified: 26 Gusht, 2022