MASHT

Ministri Hoxhaj uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për gjysëmvjetorin e dytë nga shkolla fillore “Gjergj Fishta”

10 Janar, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës për fillimin e gjysëmvjetorit të dytë dhe iu ka uruar atyre sukses gjatë kësaj periudhe të vitit shkollor. Këto urime, ai i dërgoi nga shkolla fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, ku qëndroi për një vizitë dhe takoi udhëheqësit e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle.

Më pas, gjatë një prononcimi për media ai tha se kjo ditë është shumë e veçantë, meqë sot rreth 420 mijë nxënës në të gjitha shkollat e Kosovës. ” Kjo ditë është e veçantë për nxënësit, familjet e tyre dhe mbi të gjitha është e veçantë për shtetin tonë të ri, shtetin e dijes, Republikën e Kosovës, e po ashtu është i veçantë meqë mësimdhënësit e fillojnë me një qartësi sa i takon pozitës së tyre materiale, ngase Qeveria ka marrë vendim që pagat e tyre të rriten për 50 për qind”, tha ministri, i cili theksoi se kjo ngritje e pagave do ta rrisë cilësinë në arsim.

Sa i përket fillimit të gjysëmvjetorit të dytë, ministri Hoxhaj theksoi se informatat që ka MASHT-i, flasin për atë që procesi mësimor ka filluar i rregullt në 1200 shkollat sa ka Republika e Kosovës. “Përjashtim bën komuna e Skenderajt dhe Drenasit, ku për shkak të procesit zgjedhor të djeshëm, sot nuk mbajnë mësim, por këto komuna do të mbajnë një ditë më shumë mësim në përputhje me kalendarin shkollor. Po ashtu, në dy shkolla nw Deçan ka pasur vonesë të fillimit të procesit mësimor për të njëjtat arsye, dhe në gjashtë shkolla në Komunën e Prishtinës, për shkak të mungesës së ngrohjes nga Termokosi mësimi është zhvilluar me orar të shkurtuar”, informoi ministri.

Në një takim që ka pasur me drejtorin e shkollës, Tahir Krasniqi, ministri është informuar më detajisht edhe për funksionimin e kësaj shkolle, ndërsa në takimin me arsimtarët e shkollës, ministri ka biseduar me ata për punën e tyre, të cilën e ka vlerësuar si mision të shenjtë që e ka dhënë idenë e shtetit të Kosovës dhe është faktori kryesor në ndërtimin e një shteti të fuqishëm.

Në pyetjen e gazetarëve rreth problemit të ngrohjes në shkollat, të cilat janë të kyçura në ngrohtoren Termokos, ministri Hoxhaj tha se do të takohet me udhëheqësit e Komunës së Prishtinës, për ta gjetur një zgjidhje të këtij problemi, ndërsa edhe pse ka sqaruar se kjo është një çështje në kompetencë të komunave, ai i ka bërë thirrje menaxhmentit të ngrohtores së qytetit që mos ta pengojë procesin mësimor në këtë mënyrë.

Last modified: 26 Gusht, 2022