MASHT

Ministri Hoxhaj dhe kryetari Shabanaj konfirmuar lajmin për ngritjen e pagave të mësimdhënësve

7 Janar, 2011

Një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagave bazë për mësimdhënësit në sistemin parauniversitar të arsimit, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), në një konferencë të përbashkët e kanë konfirmuar këtë lajm të mirë për këtë ngritje të pagave bazë për 50 për qind nga janari i vitit 2011.

“Mësimdhënësit kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm për shtetin e Kosovës. Ideja e shtetit të Kosovës ka lindur në shkollat tona, prandaj rrallë ka mësimdhënës që kanë pasur një mision të tillë shtetndërtues, shtetkrijues sikur mësimdhënësit në Republikën e Kosovës”, ministri Hoxhaj, i cili theksoi se më këtë rritje të pagave do të rritet edhe cilësia në arsim dhe përgjegjësia në shkollë dhë përkushtimi i mësimdhënësve ndaj nxënësve dhe përkushtimi i tyre ndaj procesit mësimor dhe shkollës.

Viti 2011, theksoi ministri Hoxhaj, do të jetë vit i reformave të rëndësishme, vit i implementimit të kurrikulumit të ri, prandaj mësimdhënës të paguar mirë, të motivuar mirë dhe shumë profesional dhe kreativ, do të mundësojnë që shkollat tona, nga shkolla memorizuese të shndërrohen në shkolla analitike dhe cilësore të shekullit 21.

“Përkushtimi jonë është që Republika e Kosovës të ndërtohet si shtet i dijes dhe në këtë shtet nuk ka forcë motorike se sa mësimdhënësit, nuk ka profesion më të shenjtë dhe më evropian se sa profesioni i mësimdhënësit”, tha ai.

Kryetari i SBASHK-ut, Ali Shabanaj vlerësoi se kjo ngritje e pagave mundëson mundësi të një realizimi më të suksesshëm të mësimdhënies dhe krijimit të sistemit të vlerave në Kosovë. “Në këtë mënyrë Qeveria po i tregon vlerat evropiane, premtimet dhe marrëveshjet po i realizon në mënyrë të suksesshme…”, tha ai.

Komisioni i përbashkët i MASHT-it dhe SBASHK-ut kanë punuar për ngritjen e pagave që nga korriku i vitit të kaluar, ndërsa Shabanaj tha se Sindikata do të jetë partner edhe në proceset tjera që lidhen me sistemin e arsimit, si Ligji i ri për arsimin e Parauniversitar, hartimin dhe nënshkrimin e kontratës kolektive, e cila sipas tij do të krijoj një stabilitet edhe më të madh në sistemin e arsimit.

Last modified: 26 Gusht, 2022