Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së 26 përfituesve të gjeneratës së tretë dhe të fundit të Programit të Lidershipit – Bursat dhe Partneritetet (TLP-SP), të cilët do të studiojnë në programe profesionale në universitetet amerikane.
Me këtë rast, ministri Bajrami uroi fituesit e kësaj burse dhe theksoi se Kosova ka shumë nevojë për liderë të transformuar që do ta sjellin kulturën dhe eksperiencën amerikane te ne. “Jam i sigurt se të gjithë ata të rinjë që kanë përfituar nga ky program do të ndikojnë në ndërrimin e mentalitetit dhe të qeverisjes së mirë kudo që do të jenë”, theksoi ai.
Ministri tha se përveç gëzimit për përfituesit e fundit të këtij programi, kemi edhe një ndjenjë pikëllimi që projekti po përfundon. Por, ai theksoi se do të punohet edhe për projekte të tjera që të rinjve tanë t’ju hapen dritaret e komunikimit të rregullt me universitetet amerikane.
Ndërsa, drejtori i USAID-it për Kosovë, James Hope, theksoi se është i lumtur që ky program ka arritur të ndihmojë të rinjtë kosovarë që të studiojnë në universitete amerikane, ndërsa i porositi 26 përfituesit e fundit që të punojnë shumë dhe të kthehen si liderë për të transformuar vendin e tyre.
Programi i Lidershipit Transformues – Bursat dhe Partneritetet është program i përbashkët i USAID-it dhe MAShT-it, ndërsa implementohet nga World Learning. Që nga fillimi, ky Program ka ndarë 102 bursa për programet profesionale, si dhe 185 bursa për studime master në universitete të njohura amerikane.
Last modified: 26 Gusht, 2022