Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar shkollën fillore dhe mesme të ulët “Ismet Rrahmani”në Açarevë, për të parë nga afër se si po zhvillohet procesi mësimor, si janë kushtet për mësim dhe sfidat, me të cilat ballafaqohet kjo shkollë.
Ministri Bajrami me këtë rast u shpreh se, kjo shkollë është ndër shkollat e shumta të Kosovës, e cila është shembull për një edukim të mirë në frymën e atdhedashurisë, shkollë nga radhët e së cilës kanë dalë personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ministri Bajrami, gjithashtu ka shprehur keqardhjen për kushtet e vështira në të cilat zhvillohet mësimi në këtë shkollë, por njëherësh u zotua se Ministria e Arsimit do ta mbështesë projektin për renovimin e shpejtë të kësaj shkolle.
“Ne kemi për obligim që të krijojmë kushte të mira për mësim cilësor të nxënësve tanë. Gjithashtu, shteti ynë do të bëjë edhe më shumë për trajtimin më dinjitoz të mësimdhënësve, të cilët janë bartës kryesor të proceseve edukativo-arsimore në shoqëri”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami porositi mësimdhënësit që të fokusohen në zbatimin me sukses të kurrikulës së re, e cila është një bazë e fortë për zhvillimin e një arsimi cilësor.
Last modified: 26 Gusht, 2022