Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami dhe Kryetarja e Komisionit Qendrorë Zgjedhor (KQZ) znj. Valdete Daka nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi në mes të MAShT dhe KQZ-së, me anë të së cilit rregullohet çështja e shfrytëzimit të hapësirave shkollore nga ana e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore nga data 1 deri më 11 qershor.
Ministri Bajrami me këtë rast u shpreh se Ministria e Arsimit është e gatshme të ofrojë mbështetje KQZ-së për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke i lejuar shfrytëzimin e hapësirave shkollore sipas nevoje, të gjitha subjekteve politike të cilat kanë interes që të zhvillojnë aktivitetin e tyre elektoral.
Ministri Bajrami gjithashtu bëri apel tek subjektet politike që gjatë këtyre ditëve të mos i pengojnë nxënësit në forma të ndryshme në procesin mësimor.
“Tashmë jemi në prag të përfundimit të vitit shkollor dhe nxënësit duhet të jenë më shumë të koncentruar dhe të përgatitur për mbylljen me sukses të këtij viti”, u shpreh ministri Bajrami.
Ministri Bajrami gjithashtu uroi që të kemi një fushatë të mirë zgjedhore, demokratike dhe që rezultatet të jenë reale dhe të pranueshme nga të gjithë në mënyrë që shteti ynë të ketë një perspektivë të zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit.
Last modified: 26 Gusht, 2022