MASHT

PUBLIKOHEN REZULTATET E MATURËS SHTETËRORE 2010

15 Qershor, 2010

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka publikuar sot rezultatet e provimit të maturës, të mbajtur më 5 qershor të këtij viti. Sipas këtyre rezultateve, kalueshmëria në provimin e maturës ka qenë 64.3%, që do të thotë se nga 25.793 nxënës, për të cilët janë publikuar rezultatet, provimin e kanë kaluar 16.577 nxënës.

Nehat Mustafa, kryetar i KQSHM-së, ka bërë të ditur se rezultatet nuk janë publikuar edhe për 726 nxënës të tjerë, të cilët provimit i janë nënshtruar në 3 qendra, ku për arsye të ndryshme është pezulluar shpallja e rezultateve, për shkak të dyshimeve se në këto qendra jo gjithçka ka shkuar në rregull. “Për këto qendra jemi duke i mbledhur faktet dhe do të shqyrtojmë materialet, në mënyrë që të nxjerrim një vendim sa më të drejtë për të mos i dëmtuar maturantët”, tha ai.

Qendrat ku është pezulluar shpallja e rezultateve janë: Qendra numër 4 “Marin Barleti”, ku provimit i janë nënshtruar nxënësit e shkollave “Mehmet Isai” dhe “Asllan Elezi” në komunën e Gjilanit; Qendra numër 2 “Vëllezërit Frashëri”, ku janë testuar nxënësit e shkollave “Tafil Kasumaj” dhe “Sami Frashëri” në komunën e Deçanit; Qendra 3 “Isa Boletini”, ku kanë hyrë në provim nxënësit e shkollës “Fan Noli” në komunën e Podujevës.

Për maturantët e këtyre 3 qendrave, sipas Mustafës, do të ketë një përgjigje javën e ardhshme.

Kryetari i KQSHM-së, theksoi se rezultatet ë këtij viti nga Provimi i Maturës janë shumë më të kënaqshme se ato të viteve paraprake. “Kjo ngritje e rezultateve ka ardhur si rezultat i punës që kanë bërë Komisioni i Maturës, Ministria e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit dhe vet shkollat”, theksoi ai, dhe përmendi faktin se gjatë këtij viti fushata për vetëdijesimin rreth testit të maturës dhe rëndësisë së tij ka filluar shumë herët, ndërsa shumë shkolla kanë organizuar edhe mësim plotësues. “Jemi të kënaqur me rezultatin, sepse është kuptuar se nëse punohet seriozisht, rezultati do të jetë shumë më i mirë”.

Nehat Mustafa, theksoi se i gjithë procesi i testimit sa i përket Ministrisë dhe Komisionit që udhëheqë ai, është kryer si duhet. Por, ai theksoi se një pjesë e administruesve as këtë herë nuk kanë qenë në nivel të detyrës që iu është besuar. “Ne jemi duke e përgatitur një listë me emrat e administruesve, por edhe të zyrtarëve komunal dhe atyre të Ministrisë, të cilët nuk e kanë kryer detyrën e vet si duhet dhe kjo listë do të publikohet edhe në veb faqen zyrtare të MASHT-it, dhe këta persona do të përjashtohen nga të gjitha aktivitetet që do të ndërmarrë Ministria e Arsimit në të ardhmen”, theksoi ai.

Provimi i Maturës është mbajtur më 5 qershor, ku provimit i janë nënshtruar 26.519 nxënës, në 29 komuna të Kosovës, respektivisht në 105 qendra të testimit.

Last modified: 26 Gusht, 2022