Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot një delegacion nga Ministria e Arsimit e Turqisë, të prirë nga zëvendësministri, Orhan Erdem dhe të shoqëruar nga ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivicilim Kiliç.
Gjatë këtij takimi është biseduar për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur ndër vite dy shtetet, si dhe për mundësitë që ky bashkëpunim të thellohet në fushën e arsimit.
Ministri Bytyqi ka pranuar urime për detyrën e ministrit nga zëvendësministri Erdem, ndërsa ka falënderuar shtetin turk për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë arsimit në Kosovë.
Ministri ka përmendur faktin se Kosova ka një popullsi të re dhe partnerët që mbështesin arsimin janë një ndihmë e madhe e institucioneve drejt qëllimit për ofrimin e një arsimi cilësor.
Ndërsa, zëvendësministri Erdem ka theksuar se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në arsim, ku edhe deri më tani ka pasur një bashkëpunim të mirë, sidomos në arsimin e lartë. Po ashtu zv/ministri Erdem përmendi se resurset natyrore nuk janë të mjaftueshme për avancimin një shteti , por duhet që t`i avancojmë edhe resurset njerëzore me arsimim të duhur.
Last modified: 25 Gusht, 2022