MASHT

MAShT dhe MPMS nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi për përmirësimin e punësimit të të rinjve

11 Nëntor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica lansuan projektin “Rinia, Punësimi dhe Aftësimi & Arsimi Profesional në Kosovë“ të financuar nga Ministria e Federatës Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), nga Ambasada Gjermane dhe nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – GIZ GmbH.

Qëllimi i Programit YES, është përmirësimi i punësimit dhe ngritjes së shkathtësive të të rinjve në Kosovë, përmes avancimit të arsimit profesional.

Ministri Bytyqi është shprehur i kënaqur me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes në mes të MAShT, MPMS dhe GIZ, si tre partnerë të rëndësishëm, të cilët janë të përkushtuar për rritje të cilësisë së edukimit dhe punësimin e të rinjve në Kosovë.

“Projekti YES do të kontribuojë në ngritjen e shkathtësive të të rinjëve tanë, por gjithsesi edhe në ofrimin e mundësive të punësimit në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Shpreh gatishmërinë e MAShT që ky projekt të vazhdojë tutje dhe të arrijë qëllimet për të cilat edhe po nënshkruhet Marrëveshja. Jam i gatshëm që të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona, të cilat kërkohen në këtë drejtim”, është shprehur Ministri.

Ministri Bytyqi po ashtu ka falënderuar MPMS dhe GIZ-in, për përkushtimin e tyre të përbashkët në vendosmërinë për të bërë ndryshime pozitive në fushën e arsimit profesional dhe punësimin sa më të lehtë të kuadrove të reja.

Ministri Bytyqi, po ashtu ka thënë se, GIZ- i është partner i rëndësishëm në të gjitha projektet e Ministrisë së Arsimit.

Për mbështetjen e Qeverisë Gjermane në forcimin e kapaciteteve të të dy Ministrive dhe të Agjencive në implementimin e iniciativave kyçe për Agjendën e Reformës Europiane për Kosovën kanë folur edhe ministri i MPMS-së, Skender Reçica, sekretarja e Parë dhe kryesuesja e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit të Ambasadës Gjermane, Anja Becky dhe drejtori i GIZ, James Macbeth Forbes.

Last modified: 25 Gusht, 2022