MASHT

Ministri Bytyqi vizitoi Prizrenin ku ka filluar dita e parë e mbajtjes së testit PISA

11 Prill, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në qytetin e Prizrenit, komunë në shkollat e të cilës edhe është shënuar dita e parë e fillimit të mbajtjes së Testit PISA 2018, i cili do të vazhdojë deri më 5 maj në të gjitha shkollat e përzgjedhura për organizimin e këtij testi ndërkombëtar në Kosovë.

Duke respektuar rregullat e PISA-s, të cilat nuk lejojnë publikimin e shkollave ku organizohet Testi, ministri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtori për arsim në këtë Komunë, Skender Susuri ka vizituar shkollat “Ibrahim Fehmiu” dhe “Mati Logoreci” në Prizren (shkolla ku nuk mbahet testi), nga ku edhe ka uruar për ngjarje të rëndësishme të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e këtyre shkollave dhe të shkollave të tjera të Kosovës ku do të organizohet testi PISA.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar Komisionin për PISA, kryetarët e komunave, drejtorët komunalë të arsimit, koordinatorët dhe drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe të gjithë ata që janë angazhuar rreth përgatitjeve për mbajtjen e këtij testi.

“Të gjithë kemi pasur një angazhim të jashtëzakonshëm për të ardhur te kjo ditë dhe po vërehet një entuziazëm i përgjithshëm. Kemi arritur që me një mobilizim të përgjithshnëm, duke i kontaktuar të gjitha shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e testit PISA. Pra, kanë marrë informacionet e duhura dhe e kuptojnë rëndësinë e këtij testi, diçka që ka munguar në vitin 2015. Ky angazhim neve na jep shpresë se do të dalim shumë më mirë me rezultate se që kemi dalë në atë vit”, tha ministri Bytyqi.

Ministri përmendi edhe faktin se të gjithë nxënësve që marrin pjesë në testin PISA, iu është shpërndarë edhe fetëpalosja me informata për Testin, ndërsa theksoi se është e rëndësishme që nxënësit kanë arritur ta kuptojnë se janë duke e përfaqësuar Kosovën.

Ministri Bytyqi gjatë vizitës në dy shkollat, është takuar me drejtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit për të parë nga afër kushtet, të arriturat dhe vëshirësitë, ndësa ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për këto dhe të gjitha shkollat, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira në mësimdhënie dhe mësimnxënie.  

Last modified: 24 Gusht, 2022