Këshilli Ekonomiko-Social, i kryesuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka mbajtur sot takimin e radhës ku është diskutuar edhe për kërkesën e Ministrisë për hapjen e një kodi të veçantë për punësimin e asistentëve në klasat e integruara.
Ministri Shyqiri Bytyqi theksoi faktin se një ndër prioritetet e MAShT është gjithëpërfshirja dhe Ministria po bën përpjekje të vazhdueshme për mundësi të barabarta të çasjes në arsim për të gjithë.
Prandaj, Ministri theksoi se klasat e integruara, pra ato klasa ku janë të përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, kanë nevojë për asistentë. “Pra, në këto klasa është mësimdhënësi i rregullt dhe kërkojmë që të jetë edhe asistenti, i cili merret me fëmijët me nevoja të veçanta”, sqaroi ministri Bytyqi.
![](http://masht.rks-gov.net/uploads/2018/05/foto-2-takimi-i-keshillit.jpg)
Ministri, po ashtu theksoi se trajnimet për këta asistentë janë përfunduar me një projekt të Luksemburgut dhe kërkohet vetëm kodi, në mënyrë që të fillohet puna në këtë drejtim.
Këshilli Ekonomiko-Social, me këtë rast, e mandatoi Komisionin profesional për aftësim dhe punësim që të punojë në vendosjen e kodit dhe brenda dy javësh t’i raportojë Këshillit.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe raporti i Komisionit profesional për legjislacion lidhur me procedurat e hartimit të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive.
Last modified: 23 Gusht, 2022