MASHT

Ministri Bytyqi ndau çmimet “Shkencëtar i ri i vitit 2018” për nxënësit e klasave X, XI, XII

10 Maj, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e shkencave natyrore të projektit “Shkencëtar i ri i vitit 2018”për nxënësit e klasave X, XI dhe XII, ku ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka ndarë çmime për tre nxënës nga komuna e Prishtinës dhe tre nga komuna e Ferizajt.

Ky është viti i tretë i organizmit të kësaj gare të mbështetur nga MAShT, ku këtë vit gara ka marrë dimension më të gjerë duke përfshirë edhe komunën e Ferizajt, ndërsa pritet që në të ardhmen gara të zgjerohet në tërë Kosovën.

Ministri Bytyqi ka theksuar se, është kënaqësi të flitet për të arriturat e të rinjve tanë në shkencë, të cilët edhe duhet t’i motivojmë dhe shpërblejmë për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Ministri Bytyqi tha se të rinjtë tanë janë e ardhmja e vendit, të cilët do ta qojnë përpara zhvillimin e vendit tonë, duke u bërë qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi.

“Kjo po tregon që kur në u ofrojmë kushte dhe angazhohemi të gjithë së bashku, të rinjtë tanë janë të gatshëm të zhvillohen dhe të jenë ata të cilët na bëjnë krenarë. Të rinjtë janë e ardhmja e vendit, besojmë tek ju dhe ju përgëzojmë për angazhimet e juaja në fushën e edukimit dhe të arriturave në shkencë”, theksoi Ministri.

Nxënësit të cilët janë shpërblyer me çmimin “Shkencëtar i ri i vitit 2018” janë: Art Berisha, nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri-Prishtinë, Altina Aliu, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri-Prishtinë, Redon Duraj, nxënës i gjimnazit “Ahmet Gashi”-Prishtinë, Shkodran Hasani, nxënës i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”-Ferizaj, Çlirimtare Ramadani, nxënëse e gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”-Ferizaj dhe Enis Vladi, nxënës i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”-Ferizaj.

Nxënësit Art Berisha dhe Shkodran Hasani janë shprehur falënderues për ndarjen e çmimit, ndërkaq kanë thënë se çmimi do të jetë edhe motiv për angazhime të tjera në fushën e shkencave natyrore në të ardhmen.

Last modified: 23 Gusht, 2022