MASHT

MINISTRI BYTYQI: TË PËRKRAHIM QENDRAT MËSIMORE, TË CILAT OFROJNË ARSIM DHE EDUKIM SHTESË PËR FËMIJËT E KOMUNITETEVE

5 Shtator, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në hapjen e punëtorisë për rishikimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrtaiv (UA), që ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.

Në këtë punëtori të organizuar nga MAShT në bashkëpunim me GIZ-in, ministri Bytyqi është shprehur se është jashtëzakonisht me rëndësi angazhimi për ta rishikuar dhe plotësuar këtë dokument ligjor, i cili rregullon funksionalizimin e qendrave mësimore, ndërsa tha se kjo është vazhdimësi e punës së MAShT për plotësimin e infrastrukturës ligjore aty ku është e nevojshme.

Duke folur për rëndësinë e qendrave mësimore, ministri Bytyqi tha se e çmon punën dhe angazhimin e këtyre qendrave, të cilat ofrojnë arsim dhe edukim shtesë për fëmijët e komuniteteve, veçanërisht për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Ministri theksoi se me këtë po dëshmohet edhe një herë përkushtimi për gjithpërëfshirje dhe dhënie të mundësive të barabarta për të gjithë. “Këto qendra po ndihmojnë fëmijët e këtyre komuniteteve që të përfitojnë njohuri dhe shkathtësi të duhura për jetën. Gjithashtu, ato kanë dhënë kontribut të çmuar për vetëdijësimin fëmijëve të këtyre komuniteteve për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit, por kanë ndikuar edhe në rënien e shkallës së braktisjes së shkollimit”, tha ai.

Ministri Bytyqi theksoi se ky UA do të saktësojë shumë çështje për punën e këtyre qendrave dhe me plotësimet që do të bëhen, do të shihet më e qartë perspektiva e këtyre qendrave, qëndrueshmëria dhe aspekte të tjera.

Ministri ka falënderuar GIZ-in dhe partnerët tjerë që po e mbështesin MAShT-in në angazhimet për edukim gjithpërfshirës dhe theksoi se po shikohen mundësitë për hartimin e një projektligji me të cilin do të rregullohet edhe çështja e financimit të institucioneve edukativo-arsimore jopublike.

Me hartimin e këtij UA, do të rregullohet çështja e regjistrimit të këtyre qendrave, e kuadrit, e programeve që ofrohen, në mënyrë që të jenë në përputhje me kurrikulën e re, si dhe çështje të tjera me rëndësi.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.