Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi , së bashku me drejtoren e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant, ka vizituar shkollën “Nënë Tereza“ në fshatin Vranidoll të Prishtinës, ku vullnetarët e Korpusit të Paqes zhvillojnë mësimin e gjuhës angleze.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, falënderoi vullnetarët e Korpusit të Paqes për kontributin që po e japin në disa shkolla të Kosovës.
“Sot është kënaqësi që të jemi këtu së bashku me drejtoren Darlene Grant, për të vizituar këtë shkollë ku janë të angazhuar vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët duhet t’i falënderojmë për angazhimin e tyre, përpjekjet për të ndihmuar nxënësit tanë në të mësuarit e gjuhës angleze dhe për bashkëpunimin me mësimdhënësit tanë duke shkëmbyer përvojat profesionale dhe sociale”, tha ministri Bytyqi.
Ministri, gjithashtu, theksoi se projekti që ka Korpusi i Paqes, sipas informatave që vijnë nga shkollat ku janë të angazhuar vullnetarët, po jep rezultate të mira dhe po ndikon pozitivisht në rritjen e interesimit të nxënësve për të mësuar gjuhën angleze.
Ministri Bytyqi dhe drejtorja Darlen biseduan me nxënësit, të cilët u shprehën shumë të kënaqur me komunikimin dhe metodologjinë e mësimdhënies së vullnetarëve të Korpusit.
“Është kënaqësi kur sheh vet nxënësit se sa janë të interesuar të bashkëpunojnë me vullnetarët dhe kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky projekt që është duke u zhvilluar në shkollat tona”, tha ministri Bytyqi.
Ndërsa, drejtorja Grant, ndër tjera tha se, është ndjenjë e veçantë t’i vizitosh vullnetarët e Korpusit, mësimdhënës të gjuhën angleze, të cilët po kontribuojnë për një mësimdhënie më të mirë të gjuhës angleze, ndërsa u shpreh mirënjohëse për partneritetin me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Last modified: 10 Nëntor, 2022