Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Programit “Evropa Kreative” (program i Bashkimit Evropian), me ç’rast u bë edhe prezantimi i projektit të përzgjedhur “Kultura për Ndryshim”.
Ministri Bytyqi e vlerësoi këtë si një ngjarje e rëndësisë së veçantë, pasi që theksoi faktin se ditë më parë, bashkë me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, në Bruksel kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian dy marrëveshje të rëndësishme për arsimin dhe kulturën.
“Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “Erasmus+”, programi i Unionit për arsim, trajnim rini dhe sport dhe marrëveshja mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”, janë dy marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën, sepse e hapin perspektivën e ndërkombëtarizimit të arsimit dhe të kulturës së Kosovës dhe e bëjnë shumë më të lehtë rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe të rinjtë tanë në veçanti”, tha ai.
Ministri Bytyqi shprehu falënderime për Bashkimit Evropian për këto mundësi që po i japin Kosovës për të realizuar synimet evropiane, zhvillimin ekonomik e social, duke krijuar kështu barazi mes të rinjve kudo në Evropë dhe duke ju dhënë mundësi atyre dhe komunitetit artistik që të shkëmbëjnë përvojat, të ruajnë vlerat e diversitetit kulturor e gjuhësor.
“Zotohemi se do t’i shkfrytëzojmë maksimalisht këto mundësi në të mirë të vendit tonë dhe duke dhënë njëkohësisht edhe ne kontributin për të mirën e përgjithshme evropiane”, theksoi ministri Bytyqi.
Ndërsa, Genoveva Ruiz-Calavera, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, me këtë rast theksoi se, të rinjtë e Kosovës dhe komuniteti i artistëve, më nuk do të kenë pengesa në këmbimin e përvojave me vendet e BE-së.
Last modified: 10 Qershor, 2022