MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË HAPJEN E SHKOLLËS VERORE ME PËRKRAHJE TË USAID-IT

23 Gusht, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me drejtoreshën e USAID-it në Kosovë, Lisa Mango, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Shkollës Verore, me moton “Të mësojmë duke u argëtuar “, e cila po mbahet në ambientet e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku po marrin pjesë nxënës të përzgjedhur të kësaj shkolle dhe të Gjimnazit “Hajdar Dushi “të Gjakovës.

Ministri Bytyqi ndër tjera tha se, e çmon organizimin e shkollave verore të cilat kanë një rëndësi të veçantë për faktin se janë organizime vullnetare, kanë një peshë shumë më të madhe sesa ato organizime të detyruara për të gjithë ne. “Nxënësit tanë vërtetë kanë nevojë për organizime të tilla me qëllimin e parë që të bashkëpunojnë, zhvillojnë aktivitete të përbashkëta, këmbejnë mendime dhe përvoja, e mbi të gjitha të njihen dhe socializohen mes vete”, theksoi Ministri.

Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se është  i angazhuar  që së  bashku me ministren e Arsimit të Shqipërisë Lindita Nikolla të organizojnë një shkollë verore mbarëshqiptare sepse kemi nevojë që të këmbejmë përvoja dhe  kultura të përbashkëta, praktika të përbashkëta ku të rinjtë do të përfitonin njohuritë e duhura pa ndonjë vështirësi.

Ministri Bytyqi ka falënderuar organizatorët e kësaj shkolle verore, USAID-in dhe  Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e këtij organizimi dhe të gjitha formave tjera të mbështetjes që po i bënë zhvillimit të arsimit në Kosovë,  ndërsa nxënësve të shkollave “Hajdar Dushi” të Gjakovës dhe “Xhevdet Doda “ të Prishtinës, pjesëmarrës në këtë event  uroi që të kenë sukses. Ai premtoi që MASHT-do t’u qëndrojë gjithmonë pranë shkollave, për të përkrahur iniciativa të tilla.

Gjatë këtyre ditëve, nxënësit pjesëmarrës do të përfitojnë njohuri në Elektronikë, Ndërmarrësi, Edukim Medial dhe Teknologji Muzikore.

Last modified: 10 Qershor, 2022