Me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018/2019, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar shkollën fillore “Ibrahim Banushi” në fshatin Shalë të Lipjanit, nga ku ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillim të mbarë të këtij viti shkollor dhe suksese në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka vizituar disa klasë të para, të cilëve iu ka uruar rrugëtim të mbarë drejt jetës akademike, ndërsa ka biseduar me fëmijët dhe mësimdhënësit, si dhe i ka porositur ata që të jenë të përkushtuar në rrugën e dijes.
Ministri Bytyqi kërkoi bashkëpunim në mes të prindërve dhe mësuesve, pasi që tha se, bashkëpunimi i ndërsjelltë është një komponentë e domosdoshme për arsim cilësor.
Ministri premtoi angazhim maksimal të Ministrisë së Arsimit për të krijuar hapësira të përshtatshme, përmirësim të infrastrukturës, në mënyrë që të sigurohen kushte më të mira dhe mësimdhënie sipas standardeve bashkëkohore.
Ndryshe, në këtë shkollë vijojnë mësimin 468 nxënës për arsimimin e të cilëve përkujdesen 27 mësimdhënës.
Last modified: 10 Qershor, 2022