Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti nënshkruan sot Marrëveshje Mirëkuptimi. Zyrtarizimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, është bërë në kuadër të aktiviteteve të cilat janë ndërmarrë, me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila këtë vit në fokus do të ketë edukimin financiar, si dhe vendosjen e qytetarit në qendër të agjendës zhvillimore.
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi me këtë rast ka thënë se, nënshkrimi i Marrëveshjes është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi bashkëpunimet e mirëfillta ndërinstitucionale i kontribuojnë realizmit të qëllimit të Ministrisë së Arsimit, për arsimim dhe edukim cilësor.
Ministri Bytyqi theksoi se, prioritet i politikave zhvillimore të Ministrisë së Arsimit është edukimi dhe arsimimi i mirëfilltë.
“Ngritja e cilësisë në arsim në vendin tonë është prioritet i ynë, si i tillë ky prioritet duhet të përkrahet nga të gjithë ne dhe një shembull i mirë është edhe arritja e Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës. MAShT është e gatshme të përkrahë çdo iniciativë të tillë dhe të arrijë Marrëveshje Mirëkuptimi edhe me partnerë të tjerë, të cilët kanë për synim zhvillimin e arsimit”, ka thënë ministri Bytyqi,
Ministri Bytyqi ka falënderuar BQK për bashkëpunimin që ka treguar edhe në kuadër të shënimit të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”, përmes realizmit të aktiviteteve të cilat do të bëjnë që nxënësit dhe studentët të ndihen qytetarë aktiv në sistemin financiar.
Në fund të ceremonisë u ndanë edhe dhjetë çmime për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, Kurse, Fito”.
Last modified: 9 Qershor, 2022