MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI MËSIMDHËNËSIT TË CILËT PO MBAJNË TRAJNIMIN PËR KURRIKULË

12 Shtator, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar shkollën ‘Dardania’, në Prishtinë për të parë nga afër procesin e trajnimit për Kurrikulë.

MASHTI në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit po vazhdon me organizimin e trajnimit për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të rreth 1400 mësimdhënësve, të cilët këtë vit shkollor do të fillojnë zbatimin në praktikë të kurrikulës së re në institucionet edukativo-arsimore.

Trajnimi po mbahet për mësimdhënësit parafillor, klasën e parë, gjashtë dhe dhjetë dhe përfshinë të gjitha fushat kurrikulare.

Ministrja Nagavci tha se ngritja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve për zbatimin në praktikë të Kurrikulës është proces shumë me rëndësi dhe se MASHTI do të jetë çdo herë në përkrahje të mësimdhënësve me qëllim të avancimit sa më të mirë të tyre.

Ajo theksoi se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha dhe se edhe viti i ri skollor do të jetë me shumë sfida. Prandaj, tha se duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim për t’i përmirësuar rezultatet.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Nagavci i njoftoi mësimdhënësit se rekomandimet e fundit të IKSHPK-së janë që viti shkollor të shtyhet edhe për dy javë dhe se këto rekomandime do të respektohen me qëllim të ruajtjes së shëndetit.

Në fund, ministrja theksoi se shpreson që pas dy javësh gjendja me pandeminë të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç ishte planifikuar, pra me prezencë fizike.

Last modified: 7 Qershor, 2022