MASHT

40 nxënës diplomojnë në profilet Kuzhinier dhe Asistent i Mikpritjes Hoteliere në Shkollën e Mesme të Lartë Profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë

30 Maj, 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zv.Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi si dhe përfaqësuesi nga GIZ Kosova, Mario Eckardt, morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë, të cilët kanë përfunduar me sukses programin trevjeçar të arsimit dual në profilet Kuzhinier dhe Asistent i Mikpritjes Hoteliere.

Kjo ceremoni shënoi përmbylljen e një cikli të rëndësishëm për nxënësit dhe vetë sistemin arsimor në Kosovë, duke vënë në pah suksesin e modelit të arsimit dual që u pilotua për herë të parë nëvitin 2022.

Kryeministri Kurti, duke përgëzuar nxënësit për suksesin dhe angazhimin e tyre, theksoi se përkrahja e arsimit profesional dhe lidhja e tij me ekonominë, tregun dhe teknologjinë do të mbeten prioritet i Qeverisësë Kosovës. Ai theksoi se përmes pilotimit të programit që nga viti 2022, janë rigjallëruar shkollat profesionale, të cilat deri atëherë ishin pothuajse në shuarje e sipër.

Kurti po ashtu shtoi se sukseset e këtilla brenda tre vitesh janë të jashtëzakonshme dhe të admirueshme, duke falenderuar Qeverinë Gjermane për mbështetjen në realizimin e arsimit dual përmes GIZ Kosova.

Në fjalën e saj, Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë strategjike dhe sociale të këtij modeli, duke e cilësuar arsimin dual si një nga projektet më të suksesshme të viteve të fundit në sistemin arsimor të Kosovës. Ajo shtoi se, përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, ky program ka tejkaluar pritshmëritë dhe po zgjerohet me sukses në gjithë vendin.

Ministrja gjithashtu tha se ky certifikim nuk është vetëm përmbyllje e një procesi, por edhe dëshmi e fortë se të rinjtë tanë janë të përgatitur për tregun e punës. Arsimi dual është investim në të ardhmen, dhe rezultatet e sotme janë fryt i përkushtimit të përbashkët institucional.

Ndërsa përfaqësuesi nga GIZ, njëherish udhëheqës i projektit mbi trajnimin e të rinjve për tregun e punës, Z. Mario Eckardt, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin me institucionet kosovare duke theksuar përparimin e arritur në kuadër të programit të arsimit dual, duke e cilësuar Kosovën si një shembull pozitiv në rajon për mënyrën e zbatimit të këtij modeli.

Shkolla “7 Shtatori” ishte ndër katër institucionet e para në Kosovë që pilotuan arsimin dual, në kuadër të një bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar që ka për qëllim të afrojë të rinjtë më pranë tregut të punës dhe të rrisë mundësitë për punësim e vetëpunësim.

Last modified: 30 Maj, 2025