MASHT

Përmbyllet Java e Aksionit Global për Arsimin për të gjithë

6 Maj, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), duke filluar nga data 2 maj, ka shënuar Javën e Aksionit Global për Arsimin për të Gjithë me temën “Arsimim për gratë dhe vajzat” nën moton ” Po, ajo mundet!”

Gjatë kësaj fushate, që është aktivitet i shpallur nga UNESKO, nëpër shkollat e Kosovës janë realizuar aktivitete të shumta, si, orë letrare, ekspozita, shfaqje teatrale, koncerte të vogla me fëmijë të shkollave përkatëse nëpër komuna dhe aktivitete të tjera, por gjithmonë duke respektuar temën e përcaktuar rreth arsimimit të grave dhe vajzave.

Kjo fushatë, e cila ka për qëllim promovimin e arsimit, si një e drejtë fundamentale për të gjithë, shënohet në rreth 200 vende të botës, ndërsa Kosova e shënon me aktivitete të ndryshme, që nga viti 2005.


Ishte paraparë që sot, vet ministri Ramë Buja, të përmbyllte këtë fushatë në shkollën fillore “Beqir Gashi” në Mleqan të Malishevës, por, për shkak të vdekjes tragjike të nxënësit të klasës së pestë të po kësaj shkolle, Albion Shala, ministri anuloi vizitën në shenjë solidarizimi me dhembjen e kësaj familje. Me këtë rast, përmes bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë marrë pjesë në varrimin e Albionit, ministri Buja i ka dërguar familjes Shala telegram ngushëllimi.

MASHT-i në përmbyllje të kësaj fushate, i siguron të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin se po punon intensivisht, që ky arsim që iu ofrohet fëmijëve, studentëve, të rriturve, komuniteteve si dhe fëmijëve me nevoja të veçanta, ndër të tjera, të jetë edhe cilësor.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.