Ministri Bytyqi raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane

11 Maj 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane rreth Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), si dhe çështje të tjera.

Ministri Bytyqi me këtë rast theksoi se, është shumë i përkushtuar në përmbushjen e kërkesave që dalin nga MSA, ndërsa shtoi se, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë përmbushur. Sa i përket pjesës tjetër, theksoi ministri Bytyqi, mbetemi të përkushtuar që t’i realizojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të shënojmë progres në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ministri Bytyqi theksoi se, zotimet e papërmbushura ndërlidhen me mosthemelimin e Agjencisë për Profesionet e Rregulluara, themelimi i së cilës ndër të tjera kërkon edhe buxhet shtesë nga Qeveria. “Konsideroj se ende jemi në pikëpyetje të themelimit të kësaj Agjencie, që ka të bëjë me ndikimet e mëdha buxhetore. Këtë vit planifikojmë të rishqyrtojmë ose të bëjmë kërkesë për buxhet shtesë për themelimin e Agjencisë që do t’i paraprinte akteve ligjore për të plotësuar të gjitha zotimet që dalin nga MSA, ose të shohim mundësinë që të mos kemi Agjenci, por të kalohet në departament brenda Ministrisë së Arsimit”, theksoi ministri Bytyqi.

Duke folur për obligimet të cilat dalin nga MSA dhe të cilat Ministria e Arsimit ka arritur t’i përmbushë, ministri Bytyqi tha se pika e cila rrjedh nga neni 107 i MSA-së, e që ka të bëjë me rregullimin e akteve nënligjore për pikat kontaktuese kombëtare për Horizon 2020, tanimë është finalizuar dhe është bërë publikimi i rregullores. Ai sqaroi se, tashmë janë emëruar personat kontaktues, që është një hap drejt hapjes së perspektivës së të rinjve tanë dhe institucioneve të arsimit të lartë.

 

Ndërsa, çështja tjetër që është kërkuar në nenin 118, e që ka të bëjë me Ligjin për Arsimin e Lartë, ministri theksoi se është formuar një komision të ri për rishqyrtimin e draftligjit.

Ministri Bytyqi një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi edhe përfshirjes së fëmijëve në programe edukative për fëmijët e moshave 0-2 dhe 3-5, duke thënë se edukimi në fëmijëri të hershme është jashtëzakonisht me rëndësi dhe në bashkëpunim me DKA-të do të identifikojmë shkollat të cilat kanë hapësira të mjaftueshme për adaptimin e tyre në çerdhe.

Një pjesë të fjalës së tij, ministri Bytyqi ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit të lartë në Kosovë, i cili duhet të trajtohet me vëmendje të veçantë, duke shikuar mundësitë e përshpejtimit të akreditimit të institucioneve të arsimit të mesëm profesional, që të mbetemi pjesë e mekanizmave evropiane të arsimit.

Në fund, ministri Bytyqi tha se, përmirësimi i gjendjes në arsim gjithsesi kërkon më shumë buxhet, përkushtim dhe angazhim të të gjithë akterëve, ndërsa MAShT mbetet e përkushtuar që të zbatojë me përpikëri legjislacionin në fuqi dhe të hartojë politika të mira arsimore, në mënyrë që përmirësimi i gjendjes të arrihet brenda një kohe sa më të shkurtër.