Ministri Bajrami priti ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë

02 Gusht 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ministren e re të Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, znj. Mirela Karabina, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në arsim të të dyja vendeve.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se me ministren Karabini janë dakorduar që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi i sistemit arsimor, të ofrohet një arsim sa më unik dhe kombëtar, i bazuar në vlerat tradicionale kombëtare, por edhe në trendet bashkëkohore dhe evropiane.

“Shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të vendosin edukimin dhe arsimin si prioritet kryesor kombëtar, sepse ne vlerësojmë që të ofrosh një arsim cilësor është gjëja më e rëndësishme për të rinjtë e të dyja vendeve, duke pasë parasysh që Shqipëria dhe Kosova kanë një popullsi të re dhe inteligjente”, tha ministri Bajrami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami theksoi se sistemi arsimor ende nuk është në nivelin që e dëshirojmë, por tha se gjatë këtyre tri viteve është vënë një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe është rrëzuar muri ndarës i sistemit të edukimit.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, znj. Mirela Karabina tha se shpreson që vitet e ardhshme të kemi edhe më shumë të materializuar bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.

Ministrja Karabina theksoi faktin se dje bashkë me ministrin Bajrami kanë marrë pjesë në hapjen e Seminarit të 13-të mbarëkombëtar të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Ajo e vlerësoi si mision të lartë patriotik punën e mësuesve që punojnë me fëmijët shqiptarë në diasporë për të ruajtur kështu gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare. 

 

Me respekt,

Divizioni për Komunikim Publik

Tel: 038/ 213 065