Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se është hapur thirrja për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme në Programin e Kuponëve. Kësaj radhe, thirrja përfshin të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, ku veprojnë institucione private dhe publiko-private të licencuara.
Programi i Kuponëve i cili do të zbatohet deri në qershor 2028, synon të mbështesë familjet e regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale, përmes rimbursimit të institucioneve që ofrojnë edukim dhe transport për fëmijët.
MAShTI njofton se, shuma e rimbursimit për edukimin e fëmijës do të përcaktohet nga çmimi i tregut dhe komuna përkatëse, deri në 150 euro në muaj për fëmijë.
Pagesa e transportit do të mbulohet vetëm për institucionet që ofrojnë këtë shërbim, ndërsa shuma do të përcaktohet nga Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve, në varësi të komunës dhe distancës rrugore.
Në këtë thirrje mund të aplikojnë edhe institucionet pjesë e pilotimit në komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Lipjanit.
Regjistrimet janë të hapura nga 25 gushti deri më 8 shtator 2025 dhe realizohen përmes platformës elektronike:
🔗 https://ekosova.rks-gov.net/Security?ReturnUrl=%2F597
Ftojmë të gjitha institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme që të aplikojnë për regjistrim në program. Pas regjistrimit të tyre, do të hapet edhe procesi i aplikimit për fëmijë.

Last modified: 25 Gusht, 2025