Programi Kombëtar i Shkencës (PKSH), i bazuar në Ligjin nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, është dokument strategjik që orienton politikat e kërkimit shkencor në Kosovë. Ai përcakton objektivat dhe masat për rritjen e koherencës, efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit kombëtar të kërkimit dhe inovacionit.
Me PKSH përcaktohen:
- fushat shkencore me prioritet zhvillimi;
- fushat që kërkojnë zhvillim sistemor për shkak të ngecjes;
- ndërtimi i kapaciteteve institucionale shkencore.
Me qëllim të rritjes së rezultateve shkencore kosovare në nivel ndërkombëtar dhe krijimit të inovacioneve me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, ky program orientohet në gjashtë objektiva:
Objektivi 1: Zhvillimin e një sistemi efektiv dhe inovativ të kërkimit shkencor;
Objektivi 2: Zhvillimin dhe aftësimin e kapaciteteve njerëzore për veprimtari kërkimore-shkencore;
Objektivi 3: Zhvillimin e infrastrukturës kërkimore-shkencore;
Objektivi 4: Ndërkombëtarizimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore;
Objektivi 5: Ndërlidhjen midis shkencës, ekonomisë dhe shoqërisë;
Objektivi 6. Përsosmërinë e veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushat specifike
Miratimi dhe zbatimi i Programit kombëtar të shkencës
Programi Kombëtar i Shkencës u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozim të Qeverisë dhe ka afat pesëvjeçar, me mundësi plotësimi ose ndryshimi përmes së njëjtës procedurë. Qeveria është e obliguar që çdo vit, deri më 31 mars, t’i paraqesë Kuvendit një raport mbi zbatimin e programit dhe mbi gjendjen e përgjithshme të veprimtarisë shkencore në vend. Financimi i programit përcaktohet nga Kuvendi sipas propozimit të Qeverisë, ndërsa kjo e fundit mund të ndërmarrë masa favorizuese financiare për institucionet kërkimore-shkencore, me qëllim të përmbushjes së objektivave të PKSH-së.
Për më shumë shih linkun!:
Last modified: 18 Shtator, 2025