MASHT

Përurohet çerdhja në fshatin Godanc të komunës së Shtimes

2 Tetor, 2025

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe drejtoreshën e çerdhes, Yllka Fejzullahu, inauguruan objektin e ri të çerdhes në fshatin Godanc të komunës së Shtimes, e cila u realizua në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Shtimes.

Me rastin e përurimit të objektit ministrja Nagavci theksoi se investime të tilla janë pjesë e vizionit të Qeverisë dhe MAShTI-t për të rritur qasjen dhe cilësinë e edukimit të hershëm, si bazë e fortë për zhvillimin e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre shkollore.

“Jam e lumtur që po e inaugurojmë këtë objekt që do të ofrojë mundësi për më shumë se 70 fëmijë dhe familje që do të fillojnë hapat e tyre të parë në rrugën e gjatë drejt dijes. Në përmirësim të infrastrukturës arsimore, Qeveria e Kosovës në këtë mandat të kryetarit Aliu ka investuar 8 milionë euro duke ndërtuar çerdhe të reja, salla të edukatës fizike, kabinete laboratorike dhe duke krijuar mundësi më të mira për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve”, tha Nagavci

Objekti i përuruar, me sipërfaqe prej 756 m² dhe vlerë investimi prej 414 mijë euro, përfshin pesë klasa të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për procesin edukativ dhe për mirëqenien e fëmijëve.

Ministrja Nagavci tha se ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt zgjerimit të rrjetit të çerdheve në Kosovë, duke u siguruar që edukimi parashkollor të jetë më i qasshëm dhe më cilësor për të gjithë fëmijët, pavarësisht vendbanimit të tyre.

Last modified: 2 Tetor, 2025