MASHT

Njoftim

8 Tetor, 2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se janë publikuar rezultatet e para nga Hulumtimi Ndërkombëtar për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie – TALIS 2024.

Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë studim ndërkombëtar, që përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota dhe që synon të mbledhë të dhëna mbi mësimdhënien, mësimnxënien dhe kushtet e punës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

Në Kosovë, në këtë cikël morën pjesë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta, ndërsa anketa në terren është zhvilluar gjatë periudhës 15 mars – 22 prill 2024, përmes platformës online.

TALIS është hulumtimi më i madh ndërkombëtar që fokusohet në përvojat dhe perceptimet e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, duke ofruar të dhëna të krahasueshme për mjediset e mësimdhënies dhe zhvillimin profesional në arsim.

Gjetjet kryesore për Kosovën:

Mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç, pothuajse e njëjtë me mesataren e OECD-së (45). Rreth 60% janë femra, ndërsa 9% janë nën 30 vjeç.

97% e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në ndonjë formë të trajnimit profesional gjatë 12 muajve të fundit, një përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (91%). Megjithatë, vetëm 28% kanë ndjekur trajnime që përfshijnë përdorimin e teknologjisë digjitale në mësimdhënie.

97% e mësimdhënësve në Kosovë thonë se u mësojnë nxënësve si të përdorin informacionin e fituar dhe 90% për zgjidhjen e problemeve reale – shifra më të larta se mesatarja e OECD-së.

82% e mësimdhënësve shkëmbejnë rregullisht materiale mësimore me kolegët, ndërsa 64% diskutojnë mbi performancën e nxënësve, tregues i një klime bashkëpunuese pozitive.

96% e drejtorëve marrin pjesë drejtpërdrejt në proceset e menaxhimit të mësimdhënies, shumë më tepër se mesatarja e OECD-së (76%), megjithatë vetëm 48% përfshihen në planifikimin strategjik afatgjatë.

85% e mësimdhënësve ndihen të përmbushur në punën e tyre dhe 77% mendojnë se profesioni i mësimdhënësit vlerësohet nga shoqëria, përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).

Rezultatet e TALIS 2024 ofrojnë një pasqyrë të vlefshme për përmirësimin e politikave të zhvillimit profesional, përfshirjes digjitale, forcimit të rolit të drejtorëve, si dhe rritjes së statusit të profesionit të mësimdhënësit në shoqëri.

MAShTI do t’i përdorë këto gjetje për të hartuar programe të reja të trajnimit dhe për të avancuar zbatimin e standardeve të cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës.

Për më shumë informata rreth rezultateve të detajuara të TALIS 2024, ju ftojmë të vizitoni uebfaqen zyrtare të MAShTI:

Rezultatet e Kosovës nga hulumtimi ndërkombëtar TALIS 2024 – MASHT

https://www.oecd.org/en/publications/results-from-talis-2024_90df6235-en.html

Last modified: 8 Tetor, 2025