Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot vizitoi Qendrën e Studentëve në Prishtinë, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2025/2026.
Gjatë vizitës, ministrja Nagavci uroi studentët për një vit të mbarë akademik, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për studim dhe jetë studentore. Ajo njëkohësisht bëri të ditur hapjen e konkursit për pranimin e studentëve në QS, duke garantuar se procesi do të zhvillohet me transparencë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.
“Studentët janë e ardhmja e vendit tonë. Ne jemi të përkushtuar që të ofrojmë mbështetje institucionale, kushte më të mira për akomodim dhe mundësi për zhvillim akademik e profesional,” theksoi ministrja Nagavci gjatë fjalës së saj.
Qendra e Studentëve mbetet institucioni kryesor i akomodimit për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe çdo vit hap dyert për rreth 4000 të rinj që ndjekin studimet e tyre në kryeqytet.





Last modified: 15 Shtator, 2025