Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin Komunal të Arsimit, Besnik Hulaj, inauguruan objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Lan Selimi” në Deçan.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Nagavci theksoi se kjo ditë është e jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor, por edhe sepse nxënësit e kësaj shkolle po nisin rrugëtimin e tyre në një objekt të ri e modern.
“Ne nuk po inaugurojmë vetëm një objekt shkollor, por një hapësirë ku do të kultivohen dijet dhe do të rriten qytetarë të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të suksesshëm. Ky investim nuk është vetëm në tulla e beton, por është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë,” tha ministrja.
Ministrja Nagavci po ashtu tha se, kjo shkollë do të jetë shtëpia e dijes për qindra fëmijë, vendi ku ata do të kultivojnë jo vetëm njohuri, por edhe vlera, karakter dhe ëndrra të mëdha.
Ministrja Nagavci gjithashtu uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një vit shkollor të mbarë, me suksese dhe frymëzim, duke theksuar se ky objekt do të shërbejë si themel i sigurt për rrugëtimin e tyre drejt së ardhmes.
Objekti i ri i shkollës përmban një investim total prej 682,994.33 euro dhe një sipërfaqe prej 1,750 metrash katrorë, dhe një inventar prej edhe 16,000 euro.

Last modified: 1 Shtator, 2025