MASHT

Ministrja Nagavci takoi drejtorin e sapoemëruar të Austrian Development Cooperation (ADA) në Vjenë, Bernd Brünner

15 Korrik, 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në takim drejtorin e sapoemëruar të Austrian Development Cooperation (ADA), Bernd Brünner.

Në takim, u diskutua rreth bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm ndërmjet MASHTI dhe ADA, me theks të veçantë në projektet që kanë dhënë rezultate konkrete në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, siç janë Higher Education Intervention 2025, Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (HERAS+), si dhe projekti ALLED.

Ministrja Nagavci shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme nga ADA, e cila ka qenë një partner i rëndësishëm në avancimin e sistemit arsimor, veçanërisht në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën aktuale në sektorin e arsimit në Kosovë, për sfidat ekzistuese dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe qasjes në arsim.

Ministrja Nagavci dhe drejtori Brünner riafirmuan përkushtimin e tyre për të forcuar më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ata theksuan rëndësinë e vazhdimit të projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e cilësisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të arsimit në Kosovë.

Last modified: 15 Korrik, 2025