MASHT

Ministrja Nagavci priti në takim përshëndetës praktikantet të cilat për një vit ishin të angazhuara në MAShTI

1 Tetor, 2025

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në një takim përshëndetës praktikantet që për një vit kanë qenë të angazhuara në këtë ministri në kuadër të programit “Praktikë në Qeveri”.

Në fillim të programit, në MAShTI kanë qenë të angazhuara gjithsej 15 praktikante, ndërsa gjatë kësaj periudhe disa prej tyre janë punësuar në institucione dhe organizata të ndryshme, duke e dëshmuar kështu vlerën e përvojës së fituar në kuadër të praktikës.

Gjatë takimit, ministrja Nagavci i falënderoi praktikantet për angazhimin e tyre profesional dhe kontributin e dhënë në punët e përditshme të ministrisë, duke theksuar se përvoja e fituar gjatë kësaj periudhe do t’u shërbejë si një bazë e fortë për zhvillimin e tyre të mëtejmë profesional dhe akademik.

Ministrja u shpreh se programi i praktikës është një mundësi e rëndësishme për të rinjtë që duan të njohin nga afër funksionimin e institucioneve shtetërore dhe të japin kontributin e tyre në fushat përkatëse, duke shtuar se MAShTI do të vazhdojë ta mbështesë këtë program.

Nga ana e tyre, praktikantet shprehën mirënjohje për mbështetjen dhe përvojën e fituar gjatë praktikës njëvjeçare, e cila u ka ndihmuar në avancimin e njohurive dhe shkathtësive të tyre profesionale.

Të drejtë konkurrimi për punë praktike, kanë pasur të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare, që janë në vitin e fundit të studimeve, të diplomuar në nivelin Bachelor, apo Master, në drejtimet e specifikuara në shpallje dhe që kanë notën mesatare në studime më të lartë se 8.0.

Last modified: 1 Tetor, 2025