Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim përshëndetës anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arta Shehu Zaimi, Arbëresha Turjaka dhe Altin Sahiti, të cilët po e përmbyllin mandatin e tyre.
Gjatë këtij takimi, ministrja Nagavci shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të anëtarëve të Këshillit Drejtues në zhvillimin institucional të Universitetit të Prishtinës, si dhe në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisjen universitare.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për punën e tyre shumëvjeçare, ministrja Nagavci ndau mirënjohje për anëtarët e Këshillit Drejtues, duke theksuar se përkushtimi i tyre ka lënë gjurmë të rëndësishme në forcimin e arsimit të lartë në Kosovë.
“Falënderoj secilin prej jush për përkushtimin dhe bashkëpunimin përgjatë këtyre viteve. Universiteti i Prishtinës mbetet institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend dhe roli i Këshillit Drejtues ka qenë thelbësor në orientimin strategjik të tij. Jam e bindur se përvoja juaj do të mbetet një vlerë e shtuar për arsimin e lartë në Kosovë”, u shpreh ministrja Nagavci.
Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues falënderuan ministren për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për mbështetjen institucionale gjatë mandatit të tyre, duke theksuar se arritjet e Universitetit janë rezultat i punës së përbashkët ndërmjet organeve drejtuese, stafit akademik dhe institucioneve të arsimit.
Takimi u mbyll me vlerësimin se përvoja dhe praktikat e mira të këtij mandati do të shërbejnë si bazë e qëndrueshme për organet e ardhshme drejtuese të Universitetit të Prishtinës.



Last modified: 1 Tetor, 2025