MASHT

Ministrja Nagavci mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”

8 Tetor, 2025

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimit “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”, që iu nda Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Çmimi u dorëzua nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.

Në fjalën e tij, rektori Hajrullahu theksoi rëndësinë e këtij çmimi si simbol të lidhjes së fortë ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe personaliteteve udhëheqëse të vendit. Ai vlerësoi kontributin e Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti, duke i konsideruar ata shembuj të shkëlqyer të të diplomuarve të UP-së që kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin demokratik, institucional dhe shoqëror të Kosovës.

Presidentja Osmani vlerësoi se ky çmim është dëshmi e kontributit të jashtëzakonshëm të qytetarëve tanë që me punën, përkushtimin dhe arritjet e tyre po e përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në vend dhe në botë. Ajo theksoi se Universiteti i Prishtinës ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e formimit të elitës akademike dhe profesionale të vendit, duke përgëzuar të gjithë fituesit për sukseset e tyre dhe për frymëzimin që i japin brezave të rinj.

Ndërsa Kryeministri Kurti theksoi se nderimi i të diplomuarve që kanë dhënë kontribut të veçantë në fusha të ndryshme përbën një vlerësim të dijes, punës dhe integritetit që buron nga Universiteti i Prishtinës. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të vazhduar mbështetjen ndaj arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, në mënyrë që Universiteti i Prishtinës të forcojë edhe më tej rolin e tij si qendër e dijes, inovacionit dhe përparimit shoqëror.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve, stafi akademik, studentë dhe ish-studentë të Universitetit të Prishtinës, në një atmosferë solemne që vlerësoi kontributin e të diplomuarve të suksesshëm të këtij institucioni.

Last modified: 8 Tetor, 2025