Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temën “Arsimi gjatë gjithë jetës: Qasje gjithëpërfshirëse që nga fëmijëria e hershme deri tek arsimi dhe aftësimi profesional”, e organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë që ka arsimi gjatë gjithë jetës për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe për rritjen e mundësive të barabarta për çdo qytetar.
Ajo potencoi se investimi në arsim nuk është vetëm investim në të tashmen, por edhe në të ardhmen e gjeneratave të reja dhe në përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe jetën shoqërore.
“Arsimi cilësor, gjithëpërfshirës dhe i qasshëm për të gjithë është një prej prioriteteve tona. Ne duhet të sigurojmë që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, që të rinjtë të përgatiten për sfidat e kohës, dhe që edhe të rriturit të kenë mundësi të vazhdojnë formimin e tyre profesional,” tha Nagavci.
Ministrja Nagavci gjithashtu falënderoi Institutin Pedagogjik të Kosovës, partnerët ndërkombëtarë dhe të gjithë studiuesit e pjesëmarrës për punën dhe kontributin e tyre në avancimin e politikave arsimore dhe në ndarjen e përvojave ndërkombëtare, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.


Last modified: 18 Shtator, 2025