Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në hapjen e edicionit të 18-të të Seminarit të Diasporës Kosovë–Shqipëri, i cili këtë vit po mbahet në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e mbi 250 mësuesve të gjuhës shqipe nga mbarë bota.
Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, Ministrja Nagavci u shpreh se ky Seminar është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe një simbol i përkushtimit të përbashkët për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Ministrja shprehu falënderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në organizimin e këtij Seminari të rëndësishëm dhe vlerësoi lart përkushtimin e mësuesve në mërgatë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në fjalimin e saj, Ministrja Nagavci përmendi përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ndaj arsimit në diasporë. Disa nga masat konkrete janë: Hartimi i teksteve shkollore për nivelet I, II dhe III për diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë; Mbështetja për organizimin e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe të tjera.
Në mbyllje, Ministrja Nagavci përshëndeti mikpritjen e qytetit të Shkodrës dhe e cilësoi këtë qendër kulturore si “zemreku kulturor i kombit shqiptar”, duke uruar një seminar të frytshëm dhe bashkëpunime të reja mes pjesëmarrësve.


Last modified: 1 Gusht, 2025