Me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mbajti ligjëratë para studentëve të Universitetit të Gjilanit ”Kadri Zeka” me temën “Pavarësia e Republikës së Kosovës si faktor stabiliteti në rajon”.
Ministri Bajrami pasi uroi studentët dhe stafin akademik tha se, ndjehet i kënaqur që në përvjetorin e 9-të të pavarësisë kishte rastin të ndante disa nga përshtypjet lidhur me rëndësinë e kësaj date historike për vendin.
Ministri Bajrami tha se, janë me fat gjeneratat të cilat kanë përjetuar shpalljen e pavarësisë dhe se, për këtë meritat më të mëdha i kanë të rënët e luftës së fundit. “Pavarësia e Kosovës është e drejtë legjitime dhe jo e drejtë e dhuruar nga dikush. Duhet të jemi të vendosur që të mbrojmë shtetin tonë nga cilado sfidë”, ka theksuar Ministri.
Ministri Bajrami, ndër të tjera, vlerësoi lartë edhe rolin e studentëve, si paraprirëse e themelimit të një baze të fortë të akademikëve dhe profesorëve për shtetndërtimin e Kosovës.
“Kam pasur nderin të jem pjesëmarrës në secilën fazë të shtetndërtimit të Kosovës. Duhet t’i tregojmë rinisë për rëndësinë dhe sfidat që kishte shtetndërtimi. Duhet ndërtuar një shtet me vlera euro-perëndimore, prosperues dhe demokratik”, u shpreh ministri Bajrami.
Ministri Bajrami po ashtu ka thënë se, MAShT do të hartojë politika të cilat do të ndihmojë që universitetet tona të jenë promotor të zhvillimit ekonomik të vendit
Last modified: 26 Gusht, 2022