MASHT

Kryeministri në detyrë Kurti dhe ministrja në detyrë Nagavci morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

8 Shtator, 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi disa nga arritjet kryesore të Ministrisë së Arsimit gjatë katër viteve të fundit, duke vënë në pah rëndësinë e vendimeve që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën akademike të studentëve.

Ai përmendi studimet falas në universitetet publike të Kosovës, si dhe faktin që vetëm gjatë dy viteve të fundit MAShTI ka ndarë mbi 1,200 bursa për studentët e këtij universiteti.

Kurti gjithashtu bëri të ditur se është rritur buxheti për kërkime shkencore dhe është mbështetur avancimi i performancës në arsimin e lartë në shumë dimensione.

Pjesëmarrja e ministres Nagavci në këtë ceremoni ishte dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të institucioneve për arsimin publik dhe për të rinjtë që po nisin një kapitull të ri në jetën e tyre profesionale.

Ceremonia e diplomimit shënoi një moment të veçantë për studentët e Universitetit “Kadri Zeka”, duke përmbyllur një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor dhe duke sjellë entuziazëm e shpresë për gjeneratat e ardhshme të Kosovës.

Last modified: 17 Shtator, 2025