Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin Arsim Ademi, vizituan sot rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u mirëpritën nga rektori Arben Hajrullahu.
Në takim u diskutua për mundësitë e avancimit të degëve të studimit, me synim që Universiteti i Prishtinës të tërheqë edhe më shumë studentë në vitet e ardhshme. Po ashtu, u diskutua për nevoja dhe planet për investimet në infrastrukturë dhe modernizimin e programeve studimore, si dhe për sfidat e ndryshme me të cilat po përballet universiteti publik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se qeveria është përherë e gatshme të ofrojë mbështetje të plotë institucionale për adresimin e nevojave dhe sfidave të UP-së, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës si themel të arsimit të lartë dhe zhvillimit shoqëror në vend.
Ministrja në detyrë Arbërie Nagavci theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme të cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, teksa siguroi se MAShTI do të jetë partner i përhershëm i universitetit në përmirësimin e kushteve për studentët dhe stafin akademik.
Takimi u mbajt dy javë para fillimit të vitit të ri akademik dhe u vlerësua si bashkëbisedim i rëndësishëm drejt përgatitjeve për këtë vit të ri akademik.

Last modified: 28 Gusht, 2025