Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e MASHTI, Arbërie Nagavci, kanë marrë pjesë mbrëmë në darkën festive, të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) me rastin e regjistrimit në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në këtë festim kanë marrë pjesë Ambasadori Aivo Orav, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë; Anu Prattipati, e Ngarkuar me Punë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë; Clarissa Castek, Zëvendësshefe e Misionit, Ambasada e Austrisë në Kosovë, Nedjeljko Spilek, Zëvendësshef i Misionit, Ambasada e Kroacisë në Kosovë, deputetë nga ish Komisioni i Kuvendit për Arsim, etj.
Përfshirja e AKA-së në EQAR përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për angazhimin dhe përkushtimin e saj në përmbushjen e standardeve evropiane të cilësisë. Kjo arritje forcon ndjeshëm besimin në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Për studentët, kjo do të thotë se diplomat e tyre do të gëzojnë njohje të garantuar në nivel ndërkombëtar, duke lehtësuar mobilitetin akademik dhe profesional në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Regjistrimi në EQAR dëshmon se programet dhe institucionet që kalojnë procesin e akreditimit nga AKA i përmbushin kriteret e përcaktuara për cilësi dhe transparencë.
Për institucionet e arsimit të lartë, kjo nënkupton mundësi të zgjeruara për bashkëpunime ndërkombëtare, pjesëmarrje në programe evropiane, sigurim fondesh, rritje të vizibilitetit dhe tërheqje të studentëve nga vende të tjera.
Si anëtare e EQAR-it, AKA fiton status të barabartë me agjencitë përkatëse evropiane dhe është në pozitë të vlerësojë edhe institucione jashtë kufijve të Kosovës, duke u pozicionuar si një aktor serioz dhe me integritet në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri dhe ministrja Nagavci i falenderuan kryetaren e KSHC-së, profesoreshën Hasnije Ilazi dhe Drejtorin Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi për këtë organizim dhe i uruan për regjistrimin në EQAR.
Po ashtu i falënderuan pjesëmarrësit në këtë darkë festive për kontributin e tyre dhe partneritetin me Agjencinë e Akreditimit për të arritur përmbushjen e standardeve evropiane për cilësi (ESH), të cilat mundësuan regjistrimin në EQAR.


Last modified: 1 Gusht, 2025