Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA) duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze. Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.
Synimet tona përfshijnë:
-Përfshirjen aktive të sektorit privat;
-Zgjerimin e ofrimit të arsimit dual në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat;
-Integrimin gradual të arsimit dual në AAP-në e vazhdueshme për të mbështetur riaftësimin e të rriturve;
-Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
-Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale.
Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë që të ftojë për anëtarësim organizata dhe institucione të tjera, si: IAAP, oda e shoqata sektoriale, përfaqësues të sektorit privat, partnerë social, të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit: praktika profesionale cilësore dhe efektive, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë, pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje.
Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune.
Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane. Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA.

Last modified: 5 Gusht, 2025