Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Evropian të Esporteve – EEC25, që po mbahet në Prishtinë nga data 9 deri më 13 korrik 2025.
Ky kampionat përfaqëson më shumë sesa një garë, është një ngjarje e rëndësishme që synon të festojë pasionin, përkushtimin dhe fuqizimin e të rinjve, duke krijuar një hapësirë të veçantë për zhvillimin e talentit dhe ambicies rinore në fushën e teknologjisë dhe lojërave digjitale.
Gjatë fjalës së tij në hapje të kësaj ngjarjeje, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë historike të organizimit të një kampionati të tillë në Kosovë, duke e cilësuar atë si dëshmi të rolit gjithnjë e më të theksuar të vendit në skenën digjitale dhe sportive evropiane. Ai nënvizoi se esportet nuk janë vetëm gara, por një platformë për zhvillim personal dhe profesional të të rinjve, për nxitjen e kreativitetit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në emër të institucioneve të Kosovës, Kryeministri shprehu mirënjohje për Federatën Ndërkombëtare të Esporteve dhe partnerët evropianë për besimin dhe përkrahjen në organizimin e kësaj ngjarjeje të nivelit të lartë, duke e cilësuar atë si reflektim të kapaciteteve organizative dhe vizionit të Kosovës për të ardhmen.
Fjalë rasti në ceremoni mbajtën edhe kryetari i Federatës së Esporteve të Kosovës, Altin Preniqi, dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, të cilët theksuan rëndësinë e integrimit të esportit në zhvillimin sportiv dhe arsimor të të rinjve në vend.



Last modified: 10 Korrik, 2025