Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në Punëtorinë me Këshillin Kombëtar të Shkencës, Këshillin Shkencor të MAShTI-t dhe këshillat e fushave shkencore.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci theksoi se shkenca është themeli i zhvillimit modern, duke rikujtuar reformat e realizuara në këto pesë vite: rikthimi i Agjencisë së Akreditimit në ENQA, miratimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023–2028, funksionalizimi i KRIS, anëtarësimi në Horizon Europe dhe mbështetja e studentëve përmes bursave ndërkombëtare.
“Shkenca është investimi më i madh që mund të bëjë një vend për të ardhmen e tij. MAShTI do të qëndrojë partner i palëkundur i studiuesve, universiteteve dhe instituteve kërkimore”, u shpreh ministrja Nagavci.
Ndërsa, Sekretarja e Përgjithshme e MAShTI-t, Fadile Dyla, theksoi rëndësinë e takimeve të tilla si nxitës të proceseve strategjike, duke përmendur Programin Kombëtar të Shkencës dhe Strategjinë e Arsimit si dokumente kyçe orientuese.
Në përmbyllje, ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e dala nga kjo punëtori do të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë, me qëllim që Programi Kombëtar i Shkencës dhe legjislacioni i ri të marrin zbatimin që i takon.


Last modified: 6 Tetor, 2025