Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë sot në promovimin e librit “Botëza e ëndrrave të mia”, të autores së re, Vlerë Mustafa.
Promovimi u mbajt në Bibliotekën “Latif Berisha” në Mitrovicë, ku të pranishëm ishin dashamirë të librit, familjarë dhe mësimdhënës.
Ministrja Nagavci e përgëzoi Vlerën për librin e saj të parë, të cilin ajo ia ka kushtuar mësueses, duke e vlerësuar këtë si një shembull frymëzues të dashurisë për dijen dhe respektit për figurën e mësuesit.
Ajo theksoi se përkushtimi dhe talenti i fëmijëve si Vlera janë dëshmi e gjallë e potencialit të madh krijues të brezave të rinj në Kosovë dhe shtoi se MAShTI do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që nxisin leximin, shkrimin dhe zhvillimin kulturor të nxënësve.
Në fund të promovimit, autorja e re Vlerë Mustafa premtoi se shumë shpejt do të sjellë edhe librin e saj të dytë, këtë herë në gjuhën angleze.

Last modified: 30 Shtator, 2025