MASHT

MAShTI dhe Ambasada e SHBA-së nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

29 Shtator, 2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), përfaqësuar nga zëvendësministri në detyrë, Arsim Ademi dhe Sektori i Diplomacisë Publike i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, përfaqësuar nga Rebecca Satterfield kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të përforcimit të mësimdhënies dhe të nxënies së gjuhës angleze në Kosovë.

Zëvendësministri në detyrë, Ademi u shpreh se, ky Memorandum është një hap i rëndësishëm në përforcimin e arsimit në Kosovë, pasi përmes tij ofrohen mundësi të reja për të mësuar dhe për të përdorur gjuhën angleze si një urë drejt dijes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve.

Memorandumi i nënshkruar parasheh angazhimin e një Bashkëpunëtori të Gjuhës Angleze (BGJA), i cili do të punojë nga tetori 2025 deri në korrik 2026 në mbështetje të institucioneve arsimore dhe mësuesve të gjuhës angleze në vend.

Me këtë Memorandum, MAShTI dhe Ambasada e SHBA-së riafirmojnë përkushtimin për të krijuar mundësi më të mëdha për nxënësit dhe mësuesit në Kosovë, duke e parë mësimin e gjuhës angleze si një urë të rëndësishme për arsim cilësor, integrim ndërkombëtar dhe zhvillim të mëtejshëm profesional.

Last modified: 29 Shtator, 2025