Për herë të parë në Kosovë po mbahet Seminari ndërkombëtar eTwinning, i organizuar nga Zyra Kombëtare e Mbështetjes eTwinning, me mbështetjen e Zyrës Erasmus+, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyrës Ndërlidhëse Greke.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë këshilltarja politike e ministres në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arrita Gola, e cila në emër të MAShTI-t theksoi rëndësinë e këtij seminari për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor në Kosovë.
“Arsimi është jo vetëm themeli i zhvillimit personal, por edhe motori i inovacionit, progresit dhe paqes. Edukimi STEM qëndron në zemër të këtyre përpjekjeve”, tha Gola.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë mësues dhe ekspertë nga Greqia, Mali i Zi, Turqia, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane.
Kosova u bë pjesë e komunitetit eTwinning në janar 2024 dhe që atëherë ka shënuar përparim të dukshëm: mbi 280 mësues nga gati 100 shkolla në 12 komuna janë angazhuar në projekte ndërkombëtare dhe bashkëpunime digjitale.
Aktualisht, po bëhen përgatitjet edhe për dhënien e Etiketave të para të Shkollave eTwinning dhe Çmimeve Kombëtare. Seminari i këtij viti është përqendruar në STEM, robotikë dhe të nxënit digjital, duke reflektuar prioritetet e MAShTI-t për digjitalizimin e arsimit, zhvillimin e kurrikulës bashkëkohore, trajnimin e mësimdhënësve dhe sigurimin e qasjes së barabartë për të gjithë nxënësit.

Last modified: 22 Shtator, 2025