MASHT

Ministrja Nagavci mori pjesë në promovimin e librit “Rrugëtimi”

18 Shtator, 2025

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në promovimin e librit “Rrugëtimi”, organizuar nga Instituti ATOMI në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Gjatë këtij aktiviteti, ministrja Nagavci zhvilloi një diskutim me prindër të fëmijëve me inteligjencë të lartë dhe me mësimdhënësit e pranishëm, ku u shkëmbyen ide rreth mundësive të zhvillimit dhe përkrahjes për këta fëmijë në sistemin arsimor.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e ofrimit të kushteve adekuate për kultivimin e talentit dhe potencialit të nxënësve me dhunti të veçanta, duke theksuar përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për të mbështetur institucionet dhe iniciativat që punojnë në këtë drejtim.

Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të forcuar bashkëpunimin me Institutin ATOMI, në mënyrë që fëmijët me inteligjencë të lartë të kenë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e tyre akademik dhe personal.

“Rrugëtimi” është shkruar nga Alberta Learning në bashkëpunim me Asociacionin e Fëmijëve të Zgjuar të Albertës (AABC). Versioni në gjuhën shqipe është përkthyer nga stafi i Institutit ATOMI.

Last modified: 19 Shtator, 2025