MASHT

Përfaqësuesit e MAShTI vizituan Shkollën Model “Qamil Batalli” me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026

2 Shtator, 2025

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vizituan sot Shkollën Model “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Në këtë vizitë morën pjesë drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Anita Kadriu, udhëheqësi i Divizionit për Licencimin e Mësimdhënësve, Osman Beka, si dhe zyrtarja e Lartë për Tekste dhe Plane Programe, Alberie Sejdiu. Përfaqësuesit e MAShTI-t u pritën nga drejtori i shkollës, Liridon Maliqi, mësimdhënësit dhe stafi menaxherial.

Në emër të MAShTI-t, drejtoresha Kadriu uroi nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar rëndësinë e arsimit si themel i zhvillimit të Kosovës.

“Është kënaqësi për mua të jem para jush në këtë ditë të veçantë. Urime ky vit i ri shkollor. Këta fëmijë janë me fat që shkollat tona sot ofrojnë cilësi gjithnjë e më të mirë. Kosova, edhe pse shtet i ri dhe ende i brishtë, po ecë përpara”, u shpreh ajo.

Ndërsa, drejtori Liridon Maliqi uroi nxënësit për një vit të ri të mbarë, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe suksesit të tyre në të ardhmen.

Last modified: 2 Shtator, 2025